Drejtuesit e Shoqatës Alumni FEFS, kryetari Astrit Haliti dhe anëtarët e Bordit Ekzekutiv – Diellza Kelmendi, Arijana Llagja Govori dhe Valentina Maksutaj – u pritën sot në takim zyrtar nga presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti. Shoqata Alumni FEFS, e themeluar në prill të këtij viti, ka për qëllim krijimin e një ure të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet brezave të ish-studentëve të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, si dhe forcimin e rolit të profesionistëve të sportit në vend. Gjatë takimit, u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit të afërt me KOK-un në projekte dhe iniciativa që synojnë zhvillimin e sportit, edukimit fizik dhe mbështetjen e sportistëve. Drejtuesit e KOK-ut përgëzuan themelimin e Shoqatës dhe shprehën gatishmërinë për të qenë partnerë aktivë në nisma të përbashkëta që kontribuojnë në avancimin e komunitetit sportiv në Kosovë.